Një aksident rrugor ndodhi në rrugën shtetërore 410 “Di Naro”, në kilometrin 14 të Naro-s, në Siçili të Italisë. Ngjarja përfshiu një makinë, ku udhëtonte Flori Topalli, 25-vjeçar shqiptar, dhe një kamion të ngarkuar me fruta e perime, që drejtohej drejt Canicattì. Viktima humbi jetën në vend, ndërsa 6 të plagosur, shumica shqiptarë, si dhe drejtuesi i kamionit me dëmtime të lehta, u transportuan në spitalet e Canicattì, Licata dhe Agrigento. Asnjëri prej të plagosurve nuk është në rrezik për jetën.
Rruga u mbyll përkohësisht pas aksidentit. Personeli i Anas-it dhe forcat e rendit ndërhynë për të menaxhuar trafikun dhe për të rikthyer sigurinë.
Prokuroria Publike e Agrigentos ka nisur hetim për të përcaktuar dinamikën e aksidentit dhe përgjegjësitë, pasi shkaqet ende nuk janë zyrtarizuar.
Familja e viktimës ka hapur një faqe në GoFundMe për të mbledhur fonde për kthimin e trupit në Shqipëri. Motra e tij, Kesmentina Topalli, shkruan në apel: “Me dhimbje të thellë në zemër dhe në pamundësi ekonomike për të sjellë trupin e vëllait tonë të dashur pranë familjes, ju drejtohemi me përulësi për ndihmë, sado të vogël, që ai të prehet pranë...”
Përditësime
39-vjeçari shqiptar, shoferi, ndodhet në gjendje kritike në Villa Sofia të Palermos, ku u transferua nga spitali i Canicattì. Ai transportonte 5 punëtorë shqiptarë drejt punës. Të plagosurit janë punëtorë sezonalë bujqësorë, të mbërritur kohët e fundit në Itali, të moshës 24-39 vjeç dhe banorë në Canicattì e Naro. Aksidenti ndodhi në mëngjesin e hershëm të 1 marsit në autostradën Naro-Camastra.