Sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të publikuara në raportin e tetorit World Economic Outlook, ekonomia e Kosovës pritet të rritet me 3,5 për qind në vitin 2026, ndërsa inflacioni parashikohet të arrijë në 6,8 për qind. Rritja ekonomike do të ishte 0,1 pikë përqindjeje më e ulët se vlerësimi prej 3,6 për qind për vitin 2025.
Inflacioni në Kosovë parashikohet të rritet nga 3,9 për qind më 2025 në 6,8 për qind më 2026, një shtim prej 2,9 pikë përqindjeje. Sipas projeksioneve të FMN-së, kjo do të ishte norma më e lartë ndër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Pas Kosovës renditet Bosnja dhe Hercegovina me 5 për qind, Maqedonia e Veriut me 4 për qind, Mali i Zi me 3,5 për qind, Shqipëria me 3,2 për qind dhe Serbia me 3,1 për qind.
Për rritjen ekonomike në vitin 2026, Kosova parashikohet të jetë në të njëjtin nivel me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, me nga 3,5 për qind. Serbia pritet të rritet me 3,3 për qind, Mali i Zi me 3 për qind, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina me 2,3 për qind.
FMN-ja parashikon gjithashtu që deficiti i llogarisë rrjedhëse të Kosovës të zgjerohet nga 8,3 për qind e Bruto Produktit Vendor (BPV) më 2025 në 9,3 për qind më 2026.
Për vitin 2027, rritja ekonomike e Kosovës parashikohet të arrijë në 3,6 për qind, ndërsa inflacioni të bjerë në 4,5 për qind. Deficiti i llogarisë rrjedhëse pritet të jetë 8,9 për qind e BPV-së. Në rajon, Serbia parashikohet të rritet me 4 për qind, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut me 3,2 për qind, Mali i Zi me 2,8 për qind dhe Bosnja dhe Hercegovina me 2,6 për qind. Inflacioni parashikohet në 4,5 për qind në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, 4,2 për qind në Serbi, 3,3 për qind në Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë, si dhe 3,2 për qind në Shqipëri.