Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur (KQPZH) ka njoftuar se më 4 mars 2026 rifilluan gërmimet vlerësuese në lokacionin Përzhina të Rahovecit. Gjatë këtyre veprimtarive u zbuluan mbetje mortore, të cilat u zhvarrosën dhe u dërguan në Institutin për Mjekësi Ligjore për ekzaminim, në përputhje me procedurat ligjore dhe standardet forenzike.
Numri i saktë i individëve dhe identiteti i tyre do të konfirmohet pas analizave forenzike. Në muajin dhjetor 2025, gërmimet në një sektor të zonës kishin zhvarrosur mbetje mortore të dy individëve, si dhe disa pjesë kockore.
Punimet u ndërprenë përkohësisht për shkak të kushteve të motit, faktorëve operacionalë dhe sipërfaqes së madhe që kërkon verifikim. Tani, ekipet e institucioneve kompetente, përfshirë mjekoligjorët e Institutit për Mjekësi Ligjore, ekspertët e EULEX-it, KQPZH-në dhe Drejtorinë e Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës – Sektorin për Persona të Zhdukur, janë rikthyer në terren.
Këto gërmime zhvillohen në zbatim të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë për zhvarrosje, autopsi dhe identifikim, sipas planifikimeve dhe koordinimit ndërinstitucional.