Një ngjarje e rëndë është raportuar pasditen e datës 21 shtator 2026 në fshatin Marinë të komunës së Skenderajt, ku një shtetas i moshës 65-vjeçare është gjetur pa shenja jete.
Lajmin e ka konfirmuar zyrtarisht zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti. Sipas njoftimit zyrtar, raportimi për këtë ngjarje ka ardhur rreth orës 16:25. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur njësitë përkatëse policore si dhe ekipi mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen e personit.
Me vendim të prokurorit të rastit, trupi i pajetë i 65-vjeçarit është dërguar për obduksion, me qëllim zbardhjen e rrethanave të plota të ngjarjes. Aktualisht, policia është duke kryer veprimet e nevojshme hetimore, ndërsa rasti është cilësuar si hetim mbi vdekjen.