Trupi i pajetë i një 7-vjeçareje është gjetur mëngjesin e sotëm pas kërkimeve intensive të kryera nga shërbimet e Policisë dhe të Emergjencës. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Gjoricës në Bulqizë, ku një grup prej pesë personash mbetën të bllokuar në shtratin e lumit Drini i Zi për shkak të rritjes së papritur të nivelit të ujit.
Operacioni i shpëtimit nisi pasditen e djeshme pas marrjes së njoftimit për emergjencën. Gjatë ndërhyrjes, forcat e shpëtimit arritën të nxirrnin të sigurt katër persona, ndërsa kërkimet për 7-vjeçaren vijuan gjatë gjithë natës. Trupi i të miturës u lokalizua paraditen e sotme, pranë urës së lumit.
Ndërkohë, grupi hetimor ka nisur punën për dokumentimin e plotë të dinamikës së ngjarjes. Për shkak të rrethanave, po verifikohen shkaqet e rritjes së prurjeve të lumit. Mediat raportojnë se po shqyrtohet mundësia që ky shtim i rrjedhës të ketë ardhur si pasojë e hapjes së portave të hidrocentralit të Spilës, pas rritjes së prurjeve nga Maqedonia e Veriut.
Përditësime
Detajet e reja zbardhin se grupi i shpëtuar përbëhej nga një i rritur dhe katër fëmijë. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:00, kur prurjet e papritura të lumit bllokuan grupin pas drurëve dhe shkurreve. Shpëtimi u mundësua nga ndërhyrja e shpejtë e banorëve të zonës. Mungesa e një grafiku publik për hapjen e portave të hidrocentralit në Maqedoninë e Veriut mbetet shqetësim kryesor, pasi ky është incidenti i dytë në pak ditë, pas rrezikimit të turistëve të huaj në të njëjtin segment lumor.