Gjermania po ndërton klasën më të madhe të fregatave në botë, F126, ku anija e parë, Niedersachsen, ndodhet tashmë në proces ndërtimi. Projekti, i konsideruar si më i madhi në historinë e marinës gjermane, ka pësuar vonesa të konsiderueshme, me një shtyrje të mundshme prej 4 vitesh. Afati fillestar parashikonte dislokimin e saj në Atlantikun e Veriut deri në vitin 2029.
Ndryshe nga fregatat tradicionale, F126 është projektuar si platformë fleksibël shumëfunksionale. Ajo bazohet në një sistem modular që lejon përshtatjen sipas misioneve, si gjuetia e nëndetëseve, operacionet e forcave speciale apo përdorimi i droneve. Me peshë rreth 10 000 ton, ofron hapësirë të bollshme për helikopterë, sisteme pa pilot dhe teknologji shtesë. Anija është parashikuar për misione të gjata, deri në dy vjet në zonën operative, me ndërrim ekuipazhesh, duke u fokusuar te mbikëqyrja dhe komandimi i operacioneve sesa luftime intensive.
Projekti F126 ka hasur probleme teknike dhe organizative, veçanërisht në teknologjinë e informacionit dhe koordinimin.
Paralelisht, Gjermania ka lëshuar fondet e para për fregatën shumëfunksionale Meko A-200 (F128) nga TKMS dhe planifikon blerjen e të paktën 4 njësive, me mundësi për më shumë.
Në SHBA, presidenti Donald Trump njoftoi në fund të vitit të kaluar ndërtimin e një brezi të ri anijesh luftarake Trump Class, të cilat do të jenë më të mëdhatë dhe më të armatosura se çdo gjë e ndërtuar më parë nga marina amerikane. Anija e parë, USS Defiant, parashikohet të ndërtohet në fillim të viteve 2030, duke përfshirë armë lazer dhe sisteme hipersonike.