Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GjKKO) ka miratuar masën e sekuestros preventive mbi një sërë pasurish të dyshuara si produkte të aktivitetit kriminal. Hetimet, të drejtuara nga prokurorët e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Klodjan Braho dhe Doloreza Musabelliu, kanë zbuluar një skemë komplekse të pastrimit të parave përmes investimeve në ndërtim, turizëm dhe tregti me pakicë.
Sipas dokumenteve të hetimit, Isa Aliu, 54 vjeç nga Elbasani, konsiderohet si personi kyç në operacionet e pastrimit të parave. Ai akuzohet se ka kryer transaksione fiktive për të maskuar burimin e paligjshëm të ardhurave. Një rast i evidentuar përfshin shkëmbimin e një makine për një tokë me vlerë 4.1 milionë lekë në shtator të vitit 2020, ndërsa mjeti ishte blerë më herët për 900 mijë lekë. Po ashtu, Isa Aliu është pronar i kompanisë "Road House" në Elbasan, e cila ka shënuar rritje të ndjeshme të aktivitetit pas vitit 2020.
Detajet e hetimit dhe trafikut të drogës
Hetimi është bazuar në të dhënat e siguruara nga autoritetet franceze përmes aplikacionit Sky ECC, duke mbuluar komunikimet e grupit kriminal në periudhën nëntor 2019 – prill 2021. Grupi, i kryesuar nga Salvatore Aliu, akuzohet për trafikimin e të paktën 50 tonë kokainë, me fitime që sipas prokurorisë arrijnë në qindramilionë euro. Procedimi penal nisi pas referimit të bërë nga Policia e Shtetit në vitin 2020.