Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur dëbimin dhe ndalimin e hyrjes në Kosovë për tre vjet ndaj 36 shtetasve të huaj, të cilët u ndaluan nga Policia e Kosovës gjatë shënimit të festës së Vidovdanit në Gazimestan. Personat në fjalë u akuzuan për “shkaktim të trazirave dhe cenim të rendit dhe qetësisë publike”.
Gjyqtarja e çështjes, Naime Krasniqi, bëri të ditur se të akuzuarit kanë kryer veprime nacionaliste, duke brohoritur “Kosova është Serbi” dhe duke shfaqur shenjën me tre gishta. Këto veprime ishin në kundërshtim me paralajmërimet e autoriteteve policore, të cilat kishin ndaluar paraprakisht shfaqjen e simboleve që nxisin urrejtje ndëretnike, fetare ose politike. Gjyqtarja sqaroi se dokumentet e identifikimit do të mbeten të konfiskuara deri në shlyerjen e gjobës prej 700 eurosh për secilin të dënuar.
Tradicionalisht, çdo 28 qershor, serbë nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit mblidhen në Gazimestan për të përkujtuar betejën kundër Perandorisë Osmane të vitit 1389. Në këtë rast, Policia e Kosovës kishte ndaluar 37 persona, por procedimi gjyqësor u zhvillua për 36 prej tyre.
Lidhur me ndalimin, në opinion janë shfaqur pretendime për keqtrajtime fizike dhe psikologjike nga ana e zyrtarëve policorë. Inspektorati Policor i Kosovës njoftoi se do t'i hetojë këto pretendime sipas detyrës zyrtare, megjithëse deri më tani nuk është pranuar asnjë ankesë zyrtare për këtë ngjarje.