Gjykata e Lartë do të rishqyrtojë masën e sigurimit për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, më 15 shtator, ora 09:30. Kjo seancë zhvillohet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e ktheu çështjen për rishqyrtim me argumentin se duhet të arsyetohet më qartë pse masa e arrestit në burg është e domosdoshme dhe pse nuk është e përshtatshme një masë tjetër më e lehtë.
Trupi gjykues i caktuar për këtë çështje në Gjykatën e Lartë përbëhet nga relatori Sander Simoni dhe anëtarët Valbon Çekrezi e Genti Shala. Procesi vjen pas dorëheqjeve të gjyqtarëve Sokol Binaj, Albana Boksi dhe relatorit Ilir Panda, të cilët janë tërhequr nga shqyrtimi i rekursit.
Ndaj Erion Veliajt, i cili gjendet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025, rëndojnë akuza të ngritura nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 episode, pastrim parash, fshehje dhe mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre, si dhe futje të sendeve të paligjshme në qeli. Aktualisht, çështja penale në ngarkim të tij, ku përfshihet edhe Ajola Xoxa dhe të pandehur të tjerë, ndodhet në fazën e shqyrtimit në themel.
Së fundmi, Erion Veliaj ka pasur një takim në paraburgimin e Durrësit me avokatë nga një studio ligjore angleze, të shoqëruar nga avokati Plarent Ndreca. Ky i fundit njoftoi se po pritet miratimi për një takim edhe me avokatë amerikanë që asistojnë kryebashkiakun, ndërsa ekipi mbrojtës ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg gjatë muajit shtator.
Përditësime
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë rrëzoi kërkesën e Erion Veliajt për ndryshimin e masës së sigurisë. Trupa gjykuese la në fuqi vendimin nr. 13, datë 13 mars 2025, të Gjykatës së Posaçme të Apelit. Vendimi u mor në dhomë këshillimi, bazuar në nenin 441, pika 1, shkronja e të Kodit të Procedurës Penale.