Gjykata e Posaçme përfundoi shqyrtimin paraprak të dosjes penale ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi dhe bashkëpandehurve. Vendimi për kalimin e dosjes në gjykim ose kthimin e saj në SPAK për plotësim hetimi do të shpallet më 18 mars në orën 10:00.
Gjatë seancës së enjtes, Ilir Meta kundërshtoi akuzat e SPAK-ut për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, duke i cilësuar të pabaza. Ai deklaroi se ka bërë jetë të thjeshtë, pa konsumuar verë prej 33 mijë eurosh dhe pa udhëtuar me avion çarter. Jashtë sallës, Monika Kryemadhi pretendoi se akuzat bazohen vetëm në perceptime e indicie, jo në fakte penale.
Po të enjten, Gjykata e Lartë vendosi të mos pranojë rekursin e Ilir Metës për lirim nga paraburgimi. Më herët, brenda të njëjtës ditë, Gjykata e Posaçme pritej të shqyrtonte një kërkesë të tij për zëvendësim të masës së sigurisë, por Meta u tërhoq nga kjo kërkesë.
Ndërkohë, më 8 prill, Gjykata Kushtetuese pritet të shqyrtojë kërkesën e Ilir Metës për liri.