Drejtuesi i grupit të mallrave të luksit LVMH, Bernard Arnault, së bashku me bashkëshorten e tij, janë urdhëruar nga gjykata të shlyejnë një faturë tatimore prej afro 22.5 milionë eurosh. Vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit të Parisit përfshin detyrime të prapambetura tatimore, kontribute shoqërore, si dhe penalitete e interesa për vonesat në pagesë.
Sipas vendimit të cituar nga Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP), pjesa e parë e këtij detyrimi kap vlerën e 12.96 milionë eurove dhe i referohet vitit tatimor 2010. Përveç kësaj, gjykata ka vendosur një detyrim shtesë prej 9.5 milionë eurosh në kuadër të taksës franceze të solidaritetit, e cila përkon me periudhën 2012–2015.
Çështja buron nga hetimet e autoriteteve tatimore franceze mbi strukturën e aksioneve dhe financat e kompanisë LVMH Moët Hennessy Louis Vuitton SE. Sipas medias franceze L’Informé, autoritetet kanë kërkuar asistencë nga Luksemburgu dhe Bahamas për të zbardhur operacionet financiare të subjektit.
Një zëdhënës i Bernard Arnault ka bërë të ditur se pala mbrojtëse do ta dërgojë çështjen në Këshillin e Shtetit për një tjetër shqyrtim, duke sinjalizuar vijimin e betejës ligjore. Arnault, i cili vlerësohet nga Bloomberg me një pasuri prej rreth 165 miliardë dollarësh, mbetet personi më i pasur në Francë dhe Evropë.