Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë ka kaluar në seancë gjyqësore publike ankimin e Partisë Demokratike kundër vendimeve të Kuvendit për mosngritjen e dy komisioneve hetimore.
Ankimi vjen pas refuzimit të mazhorancës socialiste për projektvendimet e propozuara nga deputetët e opozitës. Sipas publikimit në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese, kërkesa përfshin tri pika kryesore:
• Zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës midis jo më pak se një të katërtës së deputetëve dhe Kuvendit, duke përcaktuar detyrimin për ngritjen e Komisionit Hetimor:
- (i) “Për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin special të FBI-së Charles McGonigal”;
- (ii) “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së organeve të pushtetit qendror dhe pushtetit vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025”.
• Deklarimin e vendimit nr. 77/2025 të Kuvendit, “Për mosmiratimin e projektvendimit për Komisionin Hetimor mbi çështjen McGonigal”, si të papajtueshëm me Kushtetutën.
• Deklarimin e vendimit nr. 78/2025 të Kuvendit, “Për mosmiratimin e projektvendimit për Komisionin Hetimor mbi veprimtarinë e organeve të pushtetit dhe zgjedhjet”, si të papajtueshëm me Kushtetutën.
Deputetët e Partisë Demokratike kërkojnë që Gjykata të përcaktojë detyrimin kushtetues të Kuvendit për ngritjen e këtyre komisioneve, duke u bazuar në kompetencat ligjore për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve zyrtare.