Gjykata Kushtetuese njoftoi se nuk ka pranuar ende për shqyrtim dy kërkesat e depozituara kundër vendimit të qeverisë për financimin e një aktiviteti kulturor-turistik me përmasa ndërkombëtare. Gjatë verifikimit paraprak, institucioni konstatoi se dosjet ishin të paplota dhe nuk plotësonin kriteret ligjore.
Sipas njoftimit zyrtar, mangësitë e konstatuara janë:
• Partia “Shqipëria Bëhet” nuk ka bashkëlidhur aktin e themelimit dhe statutin e partisë.
• Shoqata “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” nuk ka paraqitur dokumentacionin që provon statusin e saj juridik, si dhe aktin e përfaqësimit për avokatët e angazhuar në këtë çështje.
Kërkuesit kanë afat 10 ditë për të plotësuar dokumentacionin e nevojshëm. Në rast se ky afat nuk respektohet, kërkesat për shfuqizimin e Aktit Normativ nr. 3 dhe pezullimin e zbatimit të tij do të arkivohen nga Gjykata Kushtetuese.
Kreu i partisë “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, kishte kërkuar më herët një shqyrtim urgjent të çështjes, duke argumentuar se efektet financiare të vendimit kanë nisur dhe vonesat mund të bëjnë të pamundur kthimin e mjeteve në buxhetin e shtetit.
Përditësime
Qeveria ka dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë një Akt Normativ për financimin prej 4 milionë eurosh të koncertit, duke kërkuar miratimin e tij në seancën e ardhshme plenare. Ndërkohë, projekti për Eagle Stadium parashikon një impiant me kapacitet 60 mijë vende, i shtrirë në një sipërfaqe prej 65 mijë m2 përgjatë autostradës Tiranë-Durrës. Sipas të dhënave teknike, ndërtimi i kësaj arene do të angazhojë mbi 3.500 punonjës.