Gjykata Kushtetuese ka vendosur të mos e kalojë në seancë çështjen për procedurën e zgjedhjes së Endri Shabanit si Avokat i Popullit nga Kuvendi.
Vendimi lidhet me kërkesën e Adriana Kalasë, e cila kërkoi konstatimin si të paligjshme të kësaj procedure. Kjo çështje shkaktoi debate mes palëve politike.
Kuvendi votoi më 11 dhjetor Endri Shabanin në krye të këtij institucioni. Ai mori 85 vota pro nga deputetët e PS-së dhe PSD-së, si dhe tre vota kundër. Partia Demokratike dhe Partia Mundësia nuk morën pjesë në votim.
Opozita kundërshtoi procedurën e ndjekur. Ajo deklaroi se kishte tërhequr firmat mbështetëse për kandidaturat për Avokat të Popullit dhe se Endri Shabani nuk ishte kandidaturë e mbështetur nga PD.