Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, me gjyqtaren e vetme gjykuese Blerta Kelmendi, ka shpallur aktgjykimin ndaj të pandehurit E.K. për veprat penale "Vjedhje e rëndë" dhe "Vjedhja".
Gjykata e ka shpallur të pandehurin fajtor për pikat III dhe IV të aktakuzës. Pas unifikimit të dënimeve, ai u dënua me dënim unik me gjobë 800 euro dhe dënim unik me burgim në kohëzgjatje 3 vjet e 4 muaj. Në këtë dënim llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 02.07.2025.
Për pikat I, II dhe V të aktakuzës, gjykata ka refuzuar akuzën në bazë të dispozitave ligjore përkatëse, pasi Prokurori i Shtetit ka hequr dorë nga ndjekja penale.
Aktgjykimi u shpall përmes video-lidhjes/video-incizimit. Kundër tij, palët kanë të drejtë ankese në afat 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit me shkrim.