Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq subjektin P V sh.p.k., si dhe administratorin e tij, shtetasin B. A..
Hetimet vërtetuan se kompania ka kryer veprimtari të paligjshme që përfshinin marrjen, nxjerrjen, përpunimin dhe transportimin e inerteve përgjatë lumit Vjosë. Këto veprime ndodhën brenda nënzonës qendrore të zonës së mbrojtur me status Park Natyror, ku nuk lejohet asnjë veprimtari ekonomike.
Gjykata shpalli fajtor personin juridik P V sh.p.k. dhe administratorin B. A. për kryerjen e veprës penale Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore, të parashikuar nga neni 202/b i Kodit Penal. Veprimtaria ka shkaktuar përkeqësim të rëndë të habitatit natyror përmes përdorimit të teknologjisë intensive që ka dëmtuar biodiversitetin, strukturën dhe funksionet e ekosistemeve.
Prokuroria e Fierit vazhdon hetimet me prioritet ndaj veprave penale mjedisore që cenojnë zonat e mbrojtura.