Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli aktgjykimin fajësues ndaj ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës më 21 mars 2018. Ngjarja u zhvillua gjatë përpjekjeve për të kundërshtuar ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
Sipas vendimit të publikuar më 2 shtator 2026, Xhelal Sveçla është shpallur fajtor për "Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm". Gjykatësi Sabit Sadikaj bëri të ditur se për akuzën e dytë, atë për "Pengimin e personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare", është nxjerrë aktgjykim refuzues për shkak të parashkrimit të ndjekjes penale. Seanca për caktimin e masës së dënimit është planifikuar për datën 8 shtator 2026.
Prokurori Avni Namani kishte argumentuar në fjalën përfundimtare se provat, duke përfshirë video-incizimet dhe ekspertizën policore, dëshmojnë se i pandehuri kishte aktivizuar bombolën me agjent kimik CS, duke detyruar personat e pranishëm të largoheshin nga salla dhe duke pamundësuar vazhdimin e seancës. Nga ana tjetër, mbrojtja e përfaqësuar nga avokati Laur Prenaj dhe vetë Sveçla janë deklaruar të pafajshëm, duke e konsideruar veprimin e tyre si një protestë politike kundër asaj që e cilësonin si humbje të territorit të Republikës.
Procedura penale ndaj Sveçlës ishte veçuar nga ajo e bashkëakuzuarve të tjerë: Fitore Pacolli-Dalipi, Salih Zyba dhe Drita Millaku, për shkak të mungesës së tij në seancat e mëparshme. I pandehuri nuk ishte i pranishëm në seancën e sotme të shpalljes së aktgjykimit.
Përditësime
Avokati i mbrojtjes, Laur Prenaj, e cilësoi vendimin si të pazakontë dhe paralajmëroi ankesë në shkallët më të larta të gjyqësorit. Gjykata e rikualifikoi veprën penale në një formë më të lehtë, duke reflektuar mbi praktikat e fundit gjyqësore. Ky vendim vjen vetëm pak ditë pasi Gjykata Themelore në Prishtinë liroi Glauk Konjufcën nga akuza të ngjashme për hedhje të gazit lotsjellës.
Gjyqtari Sabit Sadikaj kryeson trupin gjykues që trajton rastin. Gjykata konfirmoi se incidenti i gazit lotsjellës në Kuvend ndodhi më 21 gusht 2018. Trupi gjykues caktoi seancën për shpalljen e dënimit më 8 shtator, ora 09:00.
Gjykata Themelore në Prishtinë saktësoi datën e incidentit të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. Gjyqtari Sabit Sadikaj konfirmoi se ngjarja ka ndodhur më 21 mars 2018, në ditën e ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, duke korrigjuar njoftimin e mëparshëm që e vendoste incidentin më 21 gusht 2018.
Prokuroria ka ndryshuar dispozitivin e aktakuzës ndaj ministrit Xhelal Sveçla në seancën e 28 gushtit 2026. Gjyqtari Sabit Sadikaj sqaroi se palët do të kenë mundësinë të paraqesin rrethanat lehtësuese ose rënduese në seancën e radhës, të caktuar për më 8 shtator.