Në orën 09:00, në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, pritet të shpallet vendimi për dënimin e ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ky proces vjen pas shpalljes së tij si fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 2 shtator 2026, lidhur me veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Ngjarja për të cilën akuzohet Sveçla ndodhi më 21 mars 2018, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës ku po shqyrtohej ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi. Sipas konstatimit të gjyqtarit Sabit Sadikaj, ministri kishte aktivizuar dhe hedhur një bombolë gazi lotsjellës, çka solli ndërprerjen e punimeve dhe largimin e deputetëve nga salla.
Ndaj ministrit ishte ngritur akuzë edhe për “Pengimin e personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”. Megjithatë, lidhur me këtë pikë të akuzës, gjykata nxori një aktgjykim refuzues për shkak të parashkrimit të ndjekjes penale. Seanca e sotme do të fokusohet në caktimin e dënimit përkatës, pas shqyrtimit të rrethanave lehtësuese dhe rënduese nga ana e gjykatës.
Përditësime
Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi ministrin Xhelal Sveçla me 1 vit burgim me kusht, me një periudhë verifikimi prej 1 viti. Trupi gjykues e rikualifikoi veprën penale nga paragrafi 2 në paragrafin 1 të nenit 375. Prokuroria kishte kërkuar më parë 2 vite burgim efektiv dhe 3 mijë euro gjobë. I akuzuari nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit gjatë shpalljes së vendimit.