Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues për Sami Lushtakun dhe grupin e tij të bashkëluftëtarëve, të cilët përballeshin me akuza të ndryshme penale. Vendimi u shpall të martën nga trupi gjykues i përbërë nga kryetari Leon Përlaska dhe anëtarët Kushtrim Shyti e Rrahman Beqiri.
Së bashku me Sami Lushtakun, të pafajshëm u shpallën edhe:
• Ismet Haxha
• Rrustem Rrukolli
• Fatmir Mjaku
• Rexhep Xhota
• Skender Tahiri
• Sheremet Jashari
• Bajram Dibrani
Të akuzuarit përballeshin me akuza për “Pjesëmarrjen në një grup të organizuar kriminal”, “Pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare”, si dhe “Frikësim gjatë procedurës penale”.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka reaguar pas shpalljes së këtij vendimi, duke e përshëndetur atë si një dëshmi se drejtësia duhet të mbështetet mbi prova dhe fakte. Në reagimin e saj zyrtar, organizata vlerësoi se procesi konfirmon se akuzat e pabazuara nuk mund të qëndrojnë përballë së vërtetës.
OVL-UÇK-ja theksoi gjithashtu se përpjekjet për të njollosur figurat e luftës çlirimtare dështojnë përballë të vërtetës dhe se pastërtia e luftës së UÇK-së mbetet vlerë sublime që nuk mund të tjetërsohet nga presioni publik. Organizata ritheksoi qëndrimin e saj se çdo proces gjyqësor duhet të zhvillohet në përputhje me parimet më të larta të ligjit, duke respektuar të drejtat e çdo qytetari dhe prezumimin e pafajësisë si shtyllë kryesore e një shteti të së drejtës.