Gjykata Supreme e Kosovës ka nxjerrë aktgjykim në çështjen juridike të konfliktit administrativ ndërmjet Ipko Telecommunications L.L.C. si paditës dhe Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, si të paditur.
Gjykata miratoi si të themel kërkesëpadinë e paditësit dhe shpalli të paligjshme nën-paragrafin 1.2 të paragrafit 1 si dhe nën-paragrafin 3.3 të paragrafit 3 të nenit 61 të Udhëzimit Administrativ MF-Nr.03/2015 për zbatimin e Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), të publikuar në Gazetën Zyrtare më 18 shtator 2015.
Dispozitat e shfuqizuara parashikonin detyrimin për llogaritjen e TVSH-së mbi kompensimet e përfituara nga sigurimi në rastet e dëmeve në pasuri. Paditësi paraqiti interes juridik të ligjshëm, duke përmendur zjarrin aksidental të 3 korrikut 2025 në një depo në Zonën Industriale të Prishtinës. Ky zjarr shkaktoi dëme të konsiderueshme në mallrat për shitje, asetet e biznesit dhe ndërtesën e kompanisë.
Pasuritë ishin të siguruar te kompania Triglav d.d., me seli në Lubjanë, dhe Ipko pritej të përfitonte kompensim. Sipas paditësit, zbatimi i udhëzimit do ta detyronte atë të paguante TVSH mbi shumën e kompensimit, çka e konsideronte të kundërligjshme.
Paditësi njoftoi Policinë e Kosovës për ngjarjen. Zyrtarët e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), pas vizitës në vendngjarje, e njoftuan se kompensimi do të konsiderohej të hyrë tatimore për TVSH-në dhe Tatimin në të Ardhurat e Korporatave.
Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme vlerësoi se aktet nënligjore krijonin bazë tatimore të re, jo të paraparë në Ligjin për TVSH-në, dhe tejkalonin kompetencat e organit emitues. Ligji përcakton si objekt tatimi furnizimet e mallrave dhe shërbimeve kundrejt pagesës, ndërsa kompensimet nga sigurimi kanë karakter kompensues për rivendosjen e gjendjes së mëparshme, pa qenë furnizim ekonomik.