Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës e ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e anëtares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Violeta Salihu, të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), të mbajtur me numër ZP.Anr.19/2026.
Çështja lidhet me vendimin e KQZ-së Nr. 01/1198/2026 të datës 3 qershor 2026, i cili lejonte votimin në përfaqësitë diplomatike me dokumente identifikimi të Republikës së Kosovës me afat të skaduar. Ky vendim ishte anuluar më herët nga PZAP-i, më 5 qershor 2026, pas miratimit të ankesës së Institutit Demokratik të Kosovës (KDI). PZAP-i kishte vlerësuar se KQZ-ja nuk kishte autorizim ligjor për një masë të tillë, pasi neni 90 i Ligjit Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme kërkon shprehimisht paraqitjen e dokumenteve të vlefshme të identifikimit për ushtrimin e së drejtës së votës, si brenda vendit ashtu edhe në përfaqësitë diplomatike.
Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme theksoi se ankesa e Violeta Salihut është e palejuar për shkak të mungesës së legjitimimit aktiv procedural. Sipas gjykatës, një anëtar individual i KQZ-së nuk gëzon të drejtë të pavarur për të ushtruar mjete juridike në emër personal kundër vendimeve të PZAP-së, përderisa nuk dëshmon cenimin e një interesi juridik personal dhe të drejtpërdrejtë në procedurë.