Gjykata Themelore e Gjilanit ka caktuar një muaj paraburgim ndaj Arianit Sllamnikut. Kjo u konfirmua nga zëdhënësi i gjykatës Sabit Shkodra.
Prokuroria Themelore e Gjilanit dorëzoi kërkesën për caktimin e paraburgimit më 21 janar 2026. Sllamniku dyshohet për dy vepra penale: "Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike" dhe "Eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testime të barnave".
Hetimet nisën pas raportimit të emisionit KIKS Kosova në Klan Kosova. Pa qenë mjek, Sllamniku pretendonte se kishte shërim për autizmin te fëmijët. Ai dyshohet se u ofronte prindërve ilaçe të kafshëve në këmbim të shumave deri në 4 mijë euro, me kosto që fillonin nga 1500 euro.
Në një video të publikuar, Sllamniku dëgjohet të bisedojë me një grua të shqetësuar për mosbindjen e bashkëshortit ndaj protokollit të barnave. Ai i thotë: "Tek ky rast po u deshka me u bind veç baba, edhe tjerat kryhen krejt. Unë babës së tij ia jap veç 1 javë afat, brenda javës ai e sheh rezultatin."
Personi konsiderohet i pafajshëm deri në vendim përfundimtar të gjykatës.