Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) u ka bërë thirrje sot Lëvizjes Vetëvendosje, si subjekti fitues i zgjedhjeve dhe bartës i përgjegjësisë për propozimin e Kryetarit të Kuvendit, si dhe të gjitha partive parlamentare, që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës në përputhje me afatet kushtetuese. Sipas GLPS-së, dështimi për të përmbushur këtë detyrim përbën një papërgjegjësi politike dhe një shkelje të hapur të Kushtetutës.
Organizata e ka vlerësuar si të papranueshëm arsyetimin e dhënë nga Lëvizja Vetëvendosje për ndërprerjen e seancës së fundit, e cila u argumentua me nevojën për kohë shtesë lidhur me diskutimet për zgjedhjen e Presidentit/es. GLPS thekson se konstituimi i Kuvendit dhe procesi për zgjedhjen e kreut të shtetit janë dy procese të ndara dhe se partitë politike kanë pasur muaj të tërë në dispozicion për të zhvilluar dialog. Sipas GLPS-së, pas ndërprerjes së seancës nuk është zhvilluar asnjë takim midis partive që do të justifikonte vonesën.
Organizata rikujton se:
• Konstituimi i Kuvendit është parakusht për funksionimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentit/es.
• Procedura për zgjedhjen e Presidentit/es mund të zhvillohet brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e konstituimit të Kuvendit.
• Mandati i Presidentes në detyrë përfundon më 5 tetor.
GLPS ka paralajmëruar se ushtrimi i funksionit të Presidentit/es përtej mandatit kushtetues prej 6 muajsh do të çonte në tejkalim të mandatit dhe cenim të drejtpërdrejtë të Kushtetutës. Organizata thekson se qytetarët prej gati dy vitesh po paguajnë koston e një politike të dominuar nga kalkulimet partiake në dëm të interesit publik. Në mbyllje të reagimit, GLPS nënvizon se nuk ka më hapësirë për interpretime politike apo shtyrje të mëtejshme, duke kërkuar nga institucionet përmbushjen e obligimeve në nderim të vullnetit të shprehur nga qytetarët në zgjedhje.