Policia e Tiranës finalizoi operacionin e koduar „Picalla”, duke goditur një bazë armatimi në fshatin Picallë të Tiranës. Kjo bazë dyshohet se shërbente për furnizimin dhe shitjen e armëve tek grupet kriminale. Operacioni u zhvillua më 11 prill 2026, si rezultat i informacioneve të siguruara në rrugë operativo-ligjore.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit O. Q., policia sekuestroi 9 armë zjarri (5 automatikë, 1 pushkë dhe 3 pistoleta), 1 armë gjahu, 1 bajonetë, një silenciator, uniforma dhe pajisje të ngjashme me ato të Policisë, rreth 900 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, fitila zjarrpërcjellës dhe kapsolla detonatore.
Në vijim të veprimeve, u arrestua në flagrancë shtetasja M. H., 66 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila rezulton të jetë nëna e O. Q., 41 vjeç, i shpallur në kërkim. Policia vijon punën për kapjen e tij dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale.
Armët e sekuestruara do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekspertizë, me qëllim verifikimin e përdorimit të tyre në ngjarje kriminale. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Përditësime
Policia e Shtetit identifikoi të arrestuarën si Mejte Hoxha (66 vjeçe), nënën e të shpallurit në kërkim Oltjan Qershori (41 vjeç).