Gjendja në qytetin e Gostivarit po shkon drejt normalizimit të plotë, pas angazhimit të vazhdueshëm të institucioneve për sanimin e situatës. Komuna e Gostivarit ka bërë të ditur përmes një njoftimi zyrtar se qytetarët mund ta shfrytëzojnë ujin nga rrjeti i ujësjellësit ekskluzivisht për nevoja teknike.
Sipas autoriteteve vendore, shtabet e krizës, si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror, janë duke vepruar me efikasitet dhe në përputhje me planin për sanimin e situatës. Ky proces po mbështetet nga një koordinim i gjerë ndërinstitucional. Përfaqësuesit e komunës kanë shprehur mirënjohje për të gjitha organizatat, miqtë dhe palët e përfshira, për gatishmërinë dhe angazhimin e lartë të treguar gjatë kësaj periudhe.
Ndërkohë, ekipet e specializuara dhe ekspertët janë duke punuar intensivisht në terren për të bërë të mundur rikthimin e furnizimit me ujë të pijshëm sa më shpejt të jetë e mundur. Komuna e Gostivarit siguroi qytetarët se do të vazhdojë të ofrojë njoftime të rregullta dhe transparente lidhur me zhvillimet e reja dhe udhëzimet që do të vijnë nga institucionet kompetente, deri në sigurimin e plotë të kushteve të sigurta për popullatën.