Jetmira Rashiti, 38-vjeçare dhe nënë e dy fëmijëve nga Fushë Kosovës, përfundon orarin e punës në orën 16:30, por duhet të shërbejë darkën e iftarit rreth orës 17:30. Ajo e përshkruan periudhën ndërmjet si stres të madh: “Nganjëherë edhe bëhem pak nervoz se duhet t’i bëj krejt vetë dhe nganjëherë nuk i arrij të gjitha”.
Për ta përballuar, Jetmira Rashiti përgatit darkën një natë më parë, e ruan në frigorifer dhe ngutet të shmangë kolonat për të arritur në shtëpi në kohë për ta ngrohur. Ajo pret mysafirë vetëm në fundjavë, sepse gjatë javës nuk arrin të organizojë gjithçka. Pas darkës, fillon punët e tjera shtëpiake, si planifikimi i një meny ushqimi që mund të rrijë një ditë në frigorifer pa u prishur.
Edhe fundjavat nuk i kalon të qeta: pastron shtëpinë, përgatit ushqim disa-pjatësh, pret mysafirë dhe pastro enët. Kjo barrë e kujdesit dhe punëve shtëpiake bie kryesisht mbi gratë në Kosovë.
Aktivistja feministe Neri Ferizi thekson se kjo dukuri është globale, por në Kosovë përforcohet nga normat shoqërore dhe kulturore që lidhin rolin e gruas me familjen dhe kujdesin për të tjerët. “Që në moshë të hershme, vajzat socializohen të ndihmojnë në punët e shtëpisë, ndërsa djemtë shpesh përjashtohen nga këto përgjegjësi”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
Sipas saj, mungesa e shërbimeve publike, si çerdhet dhe kujdesi për të moshuarit, rëndon edhe më shumë situatën.