Në 28-vjetorin e rënies së Heroit të Kombit, Agron Rrahmani, homazhe te varri i tij kanë bërë ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu e kujtoi Rrahmanin si luftëtar guximshëm dhe, më tepër, si njeri të organizimit ushtarak në qytet. Ajo theksoi se Agroni me shokë mori përsipër punë të padukshme, por thelbësore për luftën: organizim, lëvizje, përgatitje, lidhje mes njerëzve dhe besim të plotë se Kosova duhej të çlirohej.
Sipas Haxhiut, Rrahmani u dallua për veprimtari atdhetare qysh i ri, nga Ballofci i Besianës deri në Prishtinë. Ai nisi aktivitetin si gjimnazist në Besianë dhe e vazhdoi në ilegalitet në Prishtinë, Tiranë, Tetovë e vende të tjera. Para se të merrte drejtimin e njësitit “Rexhep Mala” në Prishtinë, ai ndihmoi në përgatitjen luftarake të anëtarëve të LKÇK-së dhe vullnetarëve, si dhe në ngritjen e qendrës stërvitore në Tiranë, ku u trajnuan mbi 300 vullnetarë.
Në shkurt 1998, Rrahmani u caktua komandant i njësitit të parë ilegal luftarak në Prishtinë, të quajtur “Rexhep Mala”. Ai ra heroikisht më 12 maj 1998, në një javë të kobshme për luftën çlirimtare. Para tij kishin rënë Bahri Fazliu më 7 maj dhe Ilir Konushevci më 9 maj.
Haxhiu përfundoi me fjalët: “Lavdi e përjetshme heroit Agron Rrahmani dhe të gjithë heronjve dhe dëshmorëve të kombit!”.