Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në tryezën e rrumbullakët me temë "Dita Ndërkombëtare kundër Abuzimit me Droga dhe Trafikimit të Paligjshëm". Gjatë fjalës së saj, Haxhiu vlerësoi se abuzimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike përbëjnë ndër rreziqet më serioze për sigurinë shoqërore dhe të rinjtë në vend.
Sipas saj, është e domosdoshme që për këto fenomene të flitet hapur, pa paragjykime dhe në mënyrë proaktive. Haxhiu nënvizoi nevojën për bashkëpunim të ngushtë me prindërit, mësimdhënësit dhe psikologët nëpër shkolla, duke e cilësuar parandalimin si një detyrë të përbashkët të institucioneve dhe komunitetit.
"Parandalimi fillon me informim të saktë. Nëse të rinjtë dëgjojnë për drogat vetëm nga rruga, rrjetet sociale apo ata që përfitojnë prej tyre, institucionet nuk do të mund të ndikojnë mjaftueshëm", deklaroi Haxhiu. Ajo theksoi se institucionet duhet të ofrojnë informacion edukativ, sidomos pas raportimeve për shfaqjen e këtyre substancave pranë institucioneve arsimore.
Në tryezë morën pjesë përfaqësues të Policisë së Kosovës, profesionistë të shëndetit dhe organizata Labyrinth. Haxhiu falënderoi këta aktorë për punën e tyre në mbështetje të personave me varësi. Ajo bëri thirrje që personat e prekur nga varësia të trajtohen me mbështetje dhe rehabilitim, ndërsa trafikantët të përballen me forcën e ligjit.