Albulena Haxhiu, ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, 1 Maj, ka thënë se nuk mjafton të shihet puna vetëm si vend pune, por duhet të vlerësohet edhe puna në shtëpi.
Ajo ka theksuar se shumë gra e nisin ditën para se të zgjohen të gjithë të tjerët dhe e mbyllin pas tyre. Kujdesi për fëmijët, të moshuarit, të sëmurët, ushqimin, rrobat dhe rendin e familjes merret si detyrë natyrshme, por nuk është. Është angazhim, përkushtim, kohë dhe punë që nuk paguhet e as njihet sa duhet.
Haxhiu ka kërkuar që në këtë ditë të shihet puna në tërësinë e saj dhe t’u jepet vendi punëtorëve dhe punëtoreve të Kosovës. Ajo ka falënderuar ata që dalin herët për të fituar bukën me djersë në kantier, fabrikë, arë, zyrë, dyqan, rrugë apo mërgatë, si dhe ata që vazhdojnë punën brenda shtëpisë pa pagë, pa orar dhe pa njohje.
Sipas saj, sot nderohen punëtorët dhe punëtoret që me mund, përgjegjësi e dinjitet mbajnë familjen, shoqërinë dhe Kosovën në këmbë.