Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka reaguar për të sqaruar qëndrimin e partisë lidhur me zgjedhjen e presidentit. Ai ka konfirmuar se nominimi i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, mbetet opsioni i vetëm i propozuar nga radhët e LDK-së.
Sipas Hazirit, në kuadër të debatit paszgjedhor, ai ka prezantuar parime gjithëpërfshirëse dhe modalitete bashkëpunimi për të siguruar stabilitet politik dhe institucional. Megjithatë, ai nënvizoi se kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, mbetet autoriteti i vetëm për zhvillimin e proceseve politike në të ardhmen e afërt.
Në deklaratën e tij, Haziri theksoi se kërkesat politike, pavarësisht natyrës së tyre, do të trajtohen ekskluzivisht brenda strukturave legale të LDK-së. Ai shtoi se demokracia është e barazvlefshme me lirinë dhe pavarësinë e Republikës, duke e cilësuar kauzën "një parti, një shtet" si të dështuar.