Autoritetet belge dhe shqiptare kanë hetuar një skemë pastrimi parash të lidhur me Besjan Ramaj, shtetas shqiptar 56-vjeçar rezident në Anversë të Belgjikës. Në dhjetor 2019, gjatë një përgjimi ambiental për implikim në tregtinë e narkotikëve, Ramaj u mburr me pasuritë e tij në Shqipëri.
Gjatë bisedës me një bashkëkombäs, ai tha: “Kam aty në Fier, 17 më duket se kam, 17 hyrje, kam në Durrës nja 15, kam në Tiranë nja 7, kam nja 3 dyqane. Kisha ca ullinj në Belishovë unë, Ardjani m’i bleu, gjoja.”
Ramaj kishte një dënim penal nga drejtësia norvegjeze në vitin 2012 dhe ishte i përfshirë prej të paktën një dekade në aktivitet kriminal të tregtisë së narkotikëve. Ai investoi më shumë se 1 milion euro në pasuri të paluajtshme në Shqipëri, duke përdorur si front Ardjan Malasin, biznesmen me skedë të pastër penale dhe pronar të kompanisë “Ledio – 04”, e angazhuar në tregti hidrokarburesh.
Biznesi i Malasit u ushqye me para cash nga trafiku i drogës dhe shërbeu si maskim për transferta prej dhjetëra mijëra eurosh nga Shqipëria në Belgjikë përmes kanaleve bankare, sipas hetimeve belge.
Ky rast nuk është i izoluar. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) vë re se anëtarët e krimit të organizuar rekrutojnë gjithnjë e më shumë persona pa precedentë penalë dhe me lidhje biznesi për operacionet e qarkullimit dhe pastrimit të parave.
Dorina Bejko, prokurore e SPAK-ut, deklaroi: “Personat e përfshirë në pastrimin e parave, jo domosdoshmërisht janë të lidhur me trafikun e narkotikëve. Më së shumti janë persona me profil të pastër, për të lënë të kuptohet se akti nuk ka lidhje me krimin e rëndë.”