Policia e Filadelfias dhe FBI-ja po hetojnë prej muajsh një banesë në zonën Olney, në bllokun 400 të West Chew Avenue, në kuadër të rasteve të disa grave të zhdukura. Në pronë jetonte Raymond “R.C.” Horsch, producent filmash pornografikë me përmbajtje të dhunshme, i cili vdiq në maj të vitit 2025, në moshën 82-vjeçare. Ai banonte aty me djalin e tij, Eugene.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar qindra mijëra fotografi, dhjetëra mijëra video dhe mijëra faqe me shkrime, dorëshkrime e vizatime. Hetuesit kanë gërmuar oborrin dhe kanë gjetur eshtra, të cilat analizat treguan se u përkisnin kafshëve. Deri të hënën ishte gërmuar rreth gjysma e oborrit të pasmë; pas përfundimit të kësaj faze pritet të kontrollohet edhe oborri i përparmë.
Policia ka përdorur luminol për të kërkuar gjurmë të mundshme gjaku. Në disa zona janë evidentuar shenja të ADN-së njerëzore, të cilat kërkojnë analiza të mëtejshme. Nga prona janë larguar disa fuçi me mbetje të dendura vajore, ndërsa hetohet nëse janë përdorur kimikate për asgjësimin e trupave. Autoritetet kanë gjetur edhe pesë urna dhe po shqyrtojnë nëse ato përmbajnë mbetje të djegura.
Një video e sekuestruar po shqyrtohet si e mundshme dëshmi e vrasjes së një gruaje të zhdukur në vitin 2018. Sipas raportimeve të mediave amerikane, pamjet tregojnë një grua që konsumon drogë, përpara se Horsch t’i japë para dhe ta prangosë në shtrat. Më pas, ai dyshohet se i shtrëngon një lidhëse plastike rreth qafës, derisa ajo humbet ndjenjat. Një familjar e ka identifikuar gruan si Nicole Fusaro, e cila ishte 27 vjeçe kur u zhduk. Rrethanat e plota dhe përfundimet e hetimit nuk janë bërë publike.
Në korrik, policia njoftoi se kishte gjetur fotografi që dukeshin se paraqisnin dy gra të vdekura brenda banesës. Ato janë identifikuar si Maribel Fresses, 27 vjeçe, e zhdukur në shkurt të vitit 2018, dhe Gabrielle Amarando, 22 vjeçe kur u zhduk në shtator të vitit 2012. Të dhënat sugjerojnë se fotografitë janë realizuar në vitin 2017. Trupat nuk janë gjetur dhe ekspertët mjekoligjorë nuk kanë përcaktuar kohën, vendin apo shkakun e vdekjes.
Në kuadër të hetimit po shqyrtohen edhe rastet e Blair Tonzelli, e zhdukur në vitin 2022, dhe Amy McHale, ish-bashkëshortes së Horsch, e cila, sipas Gazetës Sinjali, është parë për herë të fundit në pronë në vitin 2016. Sinjali raporton gjithashtu se autoritetet po shqyrtojnë arkivin e Horsch, me fotografi, filma dhe libra me përmbajtje erotike e të dhunshme, por nuk është e qartë nëse materialet lidhen drejtpërdrejt me zhdukjet.
Hetimi u zgjerua në qershor, pas arrestimit të Eugene Horsch, 44 vjeç. Sipas autoriteteve, ai u gjet me armë zjarri, drogë dhe distinktivë të falsifikuar të autoriteteve ligjzbatuese. Me të udhëtonte një grua që kishte dokumentin e identifikimit dhe kartën bankare të Blair Tonzelli. Ajo i tregoi policisë për banesën dhe shprehu frikë për bodrumin. Eugene Horsch mbahet në paraburgim federal për akuza që lidhen me armëmbajtjen e paligjshme dhe posedimin e drogës; nuk është akuzuar për dëmtimin e grave të zhdukura. Avokati i tij ka thënë se ai synon të deklarohet i pafajshëm.