Tuneli i Llogarasë ka filluar të rrjedhë ujë që në shirat e parë, duke krijuar rrezik për jetën e udhëtarëve që kalojnë në të. Kjo situatë lidhet me cilësinë e dobët të punimeve në këtë vepër publike, ndërtimi i së cilës ka shkaktuar një dëm prej rreth 50 milionë eurosh për buxhetin e shtetit.
Hetimi i thelluar i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për aferën e 190 milionë eurove ka zbuluar shkelje serioze, që prekin jo vetëm drejtuesit politikë, por edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Sipas të dhënave, kjo drejtorie ka lejuar kompaninë ndërtuese të operojë për rreth tre vjet pa dokumentacion të vlefshëm ligjor, ndërsa i ka njohur asaj të drejtën e kreditimit të TVSH-së për mallrat dhe shërbimet e përdorura në ndërtim.
Ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar parashikon se bizneset e ndërtimit mund të kreditojnë TVSH-në vetëm pas marrjes së lejes së ndërtimit dhe regjistrimit të projektit në administratën tatimore. Në rastin e tunelit të Llogarasë, leja e ndërtimit u bë e vlefshme vetëm në maj të vitit 2025, kur punimet kishin përfunduar dhe objekti ishte gati për përurim. Përgjegjësia për kontrollin e aktivitetit të kompanisë bie mbi Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.
Burime bëjnë të ditur se përgjegjësit direkt për këto shkelje janë ish-drejtori i përgjithshëm Ceno Klosi dhe pasuesja e tij që nga korriku 2024, Elidjana Çelaj. Kjo dyshe jo vetëm ka lejuar ndërtimin pa leje, por nuk ka verifikuar se tunelin nuk e ka ndërtuar firma fituese e tenderit, një kompani turke, por kompani të tjera shqiptare. Gjithashtu, dyshimet përfshijnë rritje fiktive të faturave dhe favorizimin e kësaj kompanie turke, e cila sipas hetimeve nuk ka kryer punime reale.
Këto veprime tregojnë për standarde të dyfishta në veprimtarinë e administratës tatimore, ku kontrolli mungon për projekte të mëdha publike.
Përditësime
SPAK ka zbuluar komunikime mes mbikëqyrësit grek dhe Elvis Berberi që tregojnë probleme teknike në ndërtimin e tunelit të Llogorasë, duke përfshirë mungesë çeliku, materiale jo-konforme me projektin dhe presione për të injoruar shkeljet.
Hetimi tani përfshin Zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe zyrtarë të lartë administrativë për shkelje të rregullave të prokurimit publik dhe abuzim me fondet publike.