Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Nikaj të komunës së Kaçanikut, ku 19-vjeçari Enver Palloshi është gjetur pa shenja jete të shtunën. Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili bëri të ditur se policia është njoftuar për këtë rast rreth orës 13:30, pasi familjarët kanë bërë zbulimin tragjik.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitë policore të Kaçanikut, hetuesit rajonalë, ekipet e forenzikës, si dhe ekipi mjekësor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Kaçanik, i cili ka konstatuar vdekjen e të riut. Nga ekzaminimet paraprake në vendngjarje, policia njoftoi se nuk janë gjetur elemente që do të ngrinin dyshime për përfshirjen e personave të tjerë në këtë rast.
Sipas të dhënave fillestare të autoriteteve, dyshohet se bëhet fjalë për vetëvrasje. Prokurori i shtetit është njoftuar menjëherë për ngjarjen dhe ka autorizuar hetuesit rajonalë që të vazhdojnë punën deri në zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave të vdekjes së Enver Palloshit.
Ndërkohë, familjarët kanë njoftuar se ceremonia e varrimit të 19-vjeçarit do të mbahet ditën e diel, më 4 tetor 2026, në orën 14:00. Trupi i të ndjerit do të prehet në varrezat e fshatit Biçec.
Përditësime
Familjarët njoftuan se varrimi i 19-vjeçarit Enver Palloshi do të mbahet ditën e diel, më 4 tetor 2026, në fshatin Biçec.