Ministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, tha më 14 tetor se gjatë këtij viti në Kosovë janë inspektuar mbi 8 mijë biznese dhe lokacione. Ai paralajmëroi një fushatë vetëdijesuese për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës.
Duke folur për vdekjen e një punëtori 54-vjeçar në një objekt ndërtimi, Hoti shprehu keqardhje dhe tha se Inspektorati po përgatit raportin për rrethanat e ngjarjes. Sipas tij, ndërtimi sapo kishte nisur dhe ngjarja ndodhi nga kati përdhes në bodrum. Kompania ishte inspektuar disa herë, por jo kjo pjesë e ndërtimit, pasi puna aty kishte filluar rishtazi.
Hoti tha se, krahas inspektimeve, nevojitet vetëdijesimi i bizneseve dhe punëtorëve për respektimin e masave të sigurisë. Sipas tij, bizneset duhet t’i plotësojnë kërkesat për siguri dhe shëndet në punë, ndërsa punëtorët duhet t’i respektojnë detyrimet përkatëse. Ai tha se bizneset ankohen që disa punëtorë nuk i zbatojnë këto masa.
Bisedimet me Slloveninë
Duke folur për punëtorët kosovarë që jetojnë dhe punojnë në Slloveni, Hoti tha se pala sllovene ka kërkuar takim me institucionet e Kosovës për të diskutuar migrimin e rregullt. Sipas ministrit, bisedimet pritet të përfshijnë mundësitë për punësim të rregullt në Slloveni për punëtorët e kualifikuar që ndodhen në Kosovë dhe dëshirojnë të punojnë atje.
Hoti tha se nuk mund të komentojë deklaratat politike të kryeministrit slloven. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit institucional për çështjet që lidhen me qytetarët kosovarë jashtë vendit.