Ministri Andin Hoti ka nënshkruar vendimin që përcakton kushtet dhe kriteret për përfitimin nga Programi për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike për periudhën 2026–2027. Lajmi u bë i ditur më 15 tetor nga Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, përmes një njoftimi në Facebook.
Vendimi përcakton kriteret që duhet të plotësojnë familjet për të përfituar nga programi, mënyrën e aplikimit, llogaritjen dhe pagesën e subvencionit, si dhe procedurat për shqyrtimin e aplikacioneve dhe verifikimin e të dhënave të aplikuesve.
Për zbatimin e programit, Qeveria e Kosovës ka ndarë 15 milionë euro. Sipas njoftimit të ministrisë, programi synon të mbështesë familjet që kanë më së shumti nevojë për ndihmë financiare dhe t’ua lehtësojë përballimin e faturave të energjisë elektrike.
Ministria ka bërë të ditur se thirrja për aplikim do të hapet së shpejti. Data e saktë e hapjes dhe hollësitë për mënyrën e aplikimit nuk janë bërë ende të ditura. Ministria tha se qytetarët do të njoftohen me kohë për datën dhe procedurat që duhet të ndjekin për të përfituar nga programi.