Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe ish-kryeministri, Avdullah Hoti, deklaroi se projekti për gazin amerikan është përqafuar nga të gjitha subjektet politike gjatë fushatës aktuale zgjedhore. Sipas tij, ky zhvillim vjen pas një periudhe kundërshtimesh të ashpra nga një pjesë e spektrit politik, të cilët vite më parë e cilësuan Marrëveshjen e Uashingtonit si "tradhti kombëtare".
Në reagimin e tij, Hoti nënvizoi se vonesat në zbatimin e këtij projekti strategjik kanë pasur kosto të rënda financiare për vendin. Ai theksoi se gjatë gjashtë viteve të fundit, qytetarët kanë përballuar fatura më të larta të energjisë elektrike, ndërsa shteti është detyruar të importojë energji në vlerë prej afro 1 miliard eurosh.
Sipas ish-kryeministrit, ndryshimi i qëndrimit nga rivalët politikë është bërë për interesa të ngushta, ndërsa kundërshtimin fillestar e lidhi me orientimet jo-perëndimore të tyre. Hoti u ka bërë thirrje qytetarëve që, në zgjedhjet e datës 7 qershor, t'i kërkojnë përgjegjësi politike atyre që kanë penguar këtë iniciativë.