Një ngjarje e rëndë është regjistruar paraditen e sotme në fshatin Trojas të Belshit, ku një punonjës i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës. Viktima, shtetasi Klajdi Zekthi, 32 vjeç, ishte duke punuar për riparimin e një linje elektrike në zonë.
Sipas të dhënave paraprake, rreth orës 09:30, elektricisti dyshohet se ka rënë në kontakt me rrymën elektrike, goditje e cila ka rezultuar fatale. Pavarësisht përpjekjeve, 32-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët, nën drejtimin e Prokurorisë, kanë nisur veprimet për të përcaktuar rrethanat e sakta të këtij aksidenti në punë dhe për të dokumentuar ligjërisht rastin. Hetimet vijojnë për të zbardhur mënyrën e zhvillimit të punimeve dhe shkaqet që çuan në këtë incident tragjik.
Përditësime
Ekipet e OSHEE-së kishin dalë në terren për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga stuhia që përfshiu zonën. Familjarët dhe kolegët kanë ngritur pretendime për mungesën e mjeteve të nevojshme të sigurisë në punë gjatë ndërhyrjes së viktimës. Autoritetet hetimore po verifikojnë këto pretendime në kuadër të dosjes penale për zbardhjen e ngjarjes.
OSHEE Group doli me një reagim zyrtar pas aksidentit fatal në Trojas. Kompania konfirmoi se viktima, Klajdi Zekthi, kishte 8 vite përvojë pune pranë këtij institucioni. Menaxhmenti deklaroi gatishmërinë e plotë për bashkëpunim me organet e drejtësisë për zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes.
Një tjetër aksident fatal në punë u regjistrua në Marglliç të Patosit, ku humbi jetën Ermal Debrova, 46 vjeç. Autoritetet po hetojnë nëse ky rast lidhet me kushtet atmosferike, njësoj si ngjarja e ndodhur më herët në Belsh. Policia e Shtetit ka nisur verifikimet për të konstatuar nëse janë zbatuar rregullat e sigurimit teknik në të dyja rastet.