Një tragjedi ka ndodhur në qytetin e Shtimes, ku një grua 46-vjeçare ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga rënia prej katit të tretë të një objekti banimi. Ngjarja është raportuar në polici në datën 5 korrik, në rrugën "12 Qershori".
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, bëri të ditur se patrullat policore dhe ekipet e emergjencës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. E lënduara është transportuar me urgjencë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Shtime, por pavarësisht përpjekjeve mjekësore, rreth orës 19:20 është konfirmuar vdekja e saj.
Sipas hetimeve paraprake të kryera nga hetuesit dhe krimteknikët rajonalë, dyshohet se rënia ka qenë aksidentale. Viktima raportohet se ka rënë së bashku me mbajtëset metalike (gilinderat) të ballkonit, të cilat nuk kanë mbajtur peshën. Prokurori i shtetit është njoftuar për të gjitha veprimet e ndërmarra, ndërsa rasti është iniciuar si "hetim mbi vdekjen". Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë për t'iu nënshtruar procedurës së obduksionit.
Përditësime
Policia e Kosovës ka dhënë detaje mbi ngjarjen tragjike në Shtime, ku një 46-vjeçare humbi jetën pasi ra nga kati i tretë i një objekti. Rasti është raportuar në sallën operative në orën 18:50.