Një aksident tragjik në rajonin e Regensburgut në Bavari, Gjermani, ka rezultuar me humbjen e jetës së tre shtetasve nga Kosova. Viktimat, pjesëtarë të së njëjtës familje me prejardhje nga Komogllava e Ferizajt, humbën jetën teksa po udhëtonin në autostradë.
Sipas informacioneve zyrtare, bëhet fjalë për Tahir Aliun (61 vjeç), djalin e tij Gentian Aliun (34 vjeç) dhe Laurent Aliun (16 vjeç). Ngjarja ndodhi në afërsi të Nittendorfit, ndërsa viktimat ishin duke u kthyer drejt Gjermanisë.
Ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka reaguar përmes një njoftimi zyrtar duke shprehur pikëllimin për këtë humbje të madhe. Ai u shprehu ngushëllime të sinqerta familjarëve dhe të afërmve të viktimave, ndërsa theksoi se Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet gjermane për të ndjekur rastin nga afër dhe për të ofruar ndihmën e nevojshme në këto momente tejet të vështira.