Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka analizuar Projektligjin mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për Vitin 2026 dhe ka konstatuar se neni 31 shkel obligimet kushtetuese lidhur me pagesën e përvojës së punës për zyrtarët publikë.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin KO79/23, reduktimi i shtesës së përvojës së punës për pesëmbëdhjetë vitet e para të karrierës nuk është në përputhje me Kushtetutën. Gjykata ka urdhëruar Kuvendin e Kosovës që brenda gjashtë muajsh të rikthejë pagesën në të paktën 0.5% për çdo vit pune, me efekt nga data 1 shkurt 2024.
Qeveria ka synuar ta adresojë këtë çështje përmes Projektligjit për Ndarjet Buxhetore 2026, i cili vlen vetëm për një vit. Neni 31.2 parashikon rritjen e pagës bazë me 0.5% për përvojën e punës duke filluar nga 1 janar 2026, duke mos respektuar afatin kohor të aktgjykimit dhe duke mos siguruar efekt retroaktiv nga data e vendosur nga Gjykata.
IKD thekson se kjo qasje nuk përmbush standardin ligjor të kërkuar dhe shkakton dëm financiar për mbi 90 mijë zyrtarë publikë. Kjo mund të çojë në mbingarkesë të gjykatave me padi për kompensim.
Instituti i bën thirrje Kryetares së Kuvendit dhe deputetëve të heqin nenin 31 nga projektligji dhe të amandamentojnë Ligjin Nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik, duke siguruar zbatim të plotë të aktgjykimit kushtetues.