Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar më 27 janar 2026 se vazhdon monitorimin e rregullt të cilësisë së ujit për pije në të gjithë territorin e vendit. Sipas të dhënave të fundit, në disa zona uji nuk rekomandohet për pije, ndërsa në disa të tjera furnizimi është ndërprerë.
Zonat ku uji nuk rekomandohet për pije janë:
• Rajoni i Prishtinës: Fabrika për trajtimin e ujit Badoc, Vragoli.
• Rajoni i Ferizajt: Han i Elezit nga burimi i Dimcës (furnizimi me ujë është ndërprerë).
• Rajoni i Gjilanit: Viti (furnizimi me ujë është ndërprerë), Kamenicë – Stacioni i pompimit nr. 2, Bahqja dhe fshati Berivojcë.
• Rajoni i Pejës: Klinë – rrjeti nga puset dhe rrjeti nga burimi i Jarinës.
• Rajoni i Gjakovës: Burimet në Opterushë dhe Zaqishtë.
• Rajoni i Prizrenit: Malishevë.
IKSHPK u bën thirrje qytetarëve në këto zona të mos e përdorin ujin për pije deri në njoftimin e radhës dhe të respektojnë rekomandimet e institucioneve përgjegjëse. Monitorimi i cilësisë së ujit do të vazhdojë në ditët në vijim.