Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, dhe administratori i Illyrian Guard, Florenc Spaho, morën pjesë në ceremoninë e certifikimit të grupit të parë prej 50 vullnetarësh të trajnuar për situata emergjente. Programi është zhvilluar nga Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, ndërsa 50 punonjës të tjerë po vijojnë trajnimin për të plotësuar numrin prej 100 vullnetarësh.
Sipas ministrit Lamallari, kjo nismë shënon zbatimin për herë të parë të ligjit për vullnetarët, duke ndjekur standardet evropiane për bashkëpunimin mes institucioneve, sektorit privat dhe qytetarëve. Ai theksoi se vullnetarët nuk zëvendësojnë strukturat profesionale, por shërbejnë si një mbështetje thelbësore në rastet e emergjencave civile, siç janë zjarret masive.
Administratori i kompanisë, Florenc Spaho, deklaroi se pjesëmarrja e Illyrian Guard në këtë projekt buron nga bindja se sektori privat duhet të jetë partner aktiv në shërbim të komunitetit. Sipas tij, certifikimi i personelit shënon fillimin e një angazhimi afatgjatë për të kontribuar me burime njerëzore në përballimin e situatave të jashtëzakonshme.