Deputetja e Partisë Demokratike dhe nënkryetarja e Grupit Parlamentar “Miqtë e Fëmijëve”, Ina Zhupa, kërkoi më 4 nëntor thirrjen urgjente të një mbledhjeje për trajtimin e të miturve gjatë protestave të ditëve të fundit dhe shqyrtimin e paketës së re të masave të qeverisë. Kërkesa i është drejtuar kryetarit të Kuvendit, i cili drejton edhe grupin parlamentar.
Zhupa shprehu shqetësim për raportimet mbi pretendimet për ushtrim dhune ndaj të miturve nga punonjës të Policisë së Shtetit. Ajo iu referua deklarimeve të ministrit të Brendshëm, sipas të cilave, deri më 30 tetor, në polici janë shoqëruar 269 persona nën moshën 18 vjeç. Sipas saj, asnjë rrethanë nuk mund të justifikojë dhunën e paligjshme ose cenimin e garancive që legjislacioni shqiptar dhe konventat ndërkombëtare u njohin të miturve.
Në kërkesë përmenden edhe konstatimet paraprake të Avokatit të Popullit. Ato evidentojnë problematika me dokumentimin e procedurave dhe regjistrimin e të miturve, informimin e tyre për të drejtat, mundësinë për të marrë ndihmë ligjore, si dhe pretendime për dhunë gjatë ndërhyrjeve policore.
Zhupa kërkon që grupi të shqyrtojë edhe paketën e re të masave, ku përfshihen akti normativ për tubimet dhe përgjegjësia financiare e prindërve për dëmet e shkaktuara nga të miturit. Ajo i cilësoi masat “dukshëm antikushtetuese” dhe kërkoi vlerësimin e tyre në raport me interesin më të lartë të fëmijës, individualizimin e përgjegjësisë dhe proporcionalitetin.
Për mbledhjen, deputetja propozoi të ftohen përfaqësues të Avokatit të Popullit, Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Arsimit, si dhe organizatave që mbrojnë të drejtat e fëmijëve.
Në rendin e ditës ajo kërkon paraqitjen e të dhënave të plota për 269 të miturit e shoqëruar, verifikimin e pretendimeve për dhunë, shqyrtimin e respektimit të garancive procedurale dhe vlerësimin e masave të reja. Kërkesa përfshin edhe hartimin e një plani konkret veprimi me afate të përcaktuara. Zhupa tha se mbrojtja e fëmijëve nuk duhet të kushtëzohet nga bindjet politike të tyre ose të familjeve të tyre.