Përfaqësuesit e platformës qytetare "Liria Ka Emër", të përbërë nga Eliza Hoxha, Ismail Tasholli dhe Ridvan Emini, kanë zhvilluar takime për të koordinuar mbështetjen lidhur me "Marshin për Liri".
Në një takim me myftiun Naim ef. Tërnava, Bashkësia Islame e Kosovës konfirmoi përkrahjen për këtë nismë. Myftiu Tërnava vuri në dukje rëndësinë e solidaritetit dhe respektit ndaj vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e "Liria Ka Emër" u takuan edhe me drejtuesit e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD). Në këtë takim morën pjesë drejtori Betim Musliu, zv.drejtori Naim Jakaj dhe hulumtuesit Naim Jakaj dhe Qemajl Marmullakaj. Drejtuesit e IKD-së theksuan se institucioni i tyre vazhdimisht ka kërkuar zhvillimin e një procesi gjyqësor të drejtë, të pavarur dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare për të gjithë të akuzuarit që ndodhen në Hagë, duke përfshirë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Përditësime
Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, shprehu zyrtarisht mbështetjen e tij për Marshin për Liri. Organizatorët konfirmuan se Marshi për Liri do të mbahet më 12 shtator, duke filluar nga ora 14:00 në sheshin Skënderbeu.
Mbështetja për Marshin për Liri po zgjerohet me përfshirjen e komuniteteve fetare. Pastori Artur Krasniqi nga Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës shprehu zyrtarisht mbështetjen e institucionit të tij për këtë nismë. Njëkohësisht, organizatorët e platformës Liria Ka Emër konfirmuan takimin me Ipeshkvin Dodë Gjergji, i cili rikonfirmoi solidaritetin e Ipeshkvisë së Kosovës me ish-krerët e UÇK-së.
Endrit Thaçi bëri thirrje zyrtare për pjesëmarrje në Marshin për Liri. Përmes kësaj thirrjeje, ai u bëri thirrje qytetarëve t'i bashkohen protestës me mesazhin: 'Kosova po pret'.
Këngëtarët Arif Vladi dhe Shkurte Fejza konfirmuan pjesëmarrjen e tyre në Marshin për Liri. Organizatorët njoftuan se performanca e artistëve do të shoqërojë marshin, i cili do të mbahet vetëm katër ditë përpara se Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë të shpallin aktgjykimin për ish-krerët e UÇK-së.
Organizatorët e platformës Liria Ka Emër konfirmuan zyrtarisht datën 16 shtator për shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Ky zhvillim ka rritur pritshmëritë për pjesëmarrje në Marshin për Liri, me organizatorët që vlerësojnë se ky do të jetë një nga mobilizimet më të mëdha të kësaj platforme deri më tani.
Këngëtarja Dafina Zeqiri i është bashkuar zyrtarisht thirrjes për pjesëmarrje në Marshin për Liri. Organizatorët konfirmuan se marshimi do të mbahet më 12 shtator, duke filluar në orën 14:00 në sheshin Skënderbeu në Prishtinë.