Instituti GAP ka publikuar raportin "Indeksi i Transparencës Buxhetore të Komunave 2025", përmes të cilit është vlerësuar menaxhimi dhe publikimi i informacioneve buxhetore në të gjitha komunat e Kosovës. Sipas të dhënave, mesatarja e transparencës në nivel vendi ka shënuar një përmirësim të lehtë, duke arritur në 64.5 pikë, krahasuar me 61 pikë të regjistruara në vitin 2024.
Ndërsa 10 komuna kanë arritur pikët maksimale, 19 prej tyre kanë siguruar të paktën 89.5 pikë. Në anën tjetër, vlerësimin zero e kanë marrë komunat: Kllokoti, Leposaviqi, Parteshi, Shtërpca, Zubin Potoku dhe Zveçani.
Gjatë vitit 2025, në total janë publikuar 240 dokumente buxhetore, prej të cilave 133 kanë qenë raporte financiare. Sa i përket transparencës ndaj qytetarëve, janë organizuar 119 dëgjime buxhetore për planifikimin e buxhetit të vitit 2026. Shumica e dokumenteve, përkatësisht 76 për qind e tyre, janë publikuar në formate të hapura si Excel dhe Word, 8 për qind në PDF, ndërsa 16 për qind si dokumente të skanuara.
Dokumentet më të shpeshta të publikuara kanë qenë Korniza Afatmesme Buxhetore dhe Rregullorja për Ndarjen e Subvencioneve, të cilat janë bërë publike nga 30 komuna. Raportet financiare për tremujorin e parë dhe të dytë janë publikuar nga 29 komuna, kurse Raporti Vjetor Financiar për vitin 2025 është publikuar nga 28 komuna.
Sa i përket ndryshimeve krahasuese, rritjen më të lartë e ka shënuar komuna e Obiliqit me 60 pikë, pasuar nga Ferizaj me 52.5 pikë dhe Gjilani me 43.5 pikë. Në kahun e kundërt, rëniet më të theksuara janë regjistruar në Viti me 35 pikë më pak, Mitrovicën e Veriut me 29 pikë dhe Lipjan me 15 pikë.
Instituti GAP nënvizon nevojën për standardizimin e formateve të publikimit dhe forcimin e mekanizmave për llogaridhënie të vazhdueshme ndaj qytetarëve.
Përditësime
Instituti GAP ka publikuar të dhënat mbi dëgjimet buxhetore për planifikimin e vitit 2026. Sipas raportit, 28 komuna kanë përmbushur detyrimin ligjor për organizimin e të paktën katër dëgjimeve, ndërsa komunat e tjera kanë realizuar nga një deri në tri dëgjime gjatë këtij cikli.
Komunat e udhëhequra nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kryesojnë Indeksin e Transparencës Buxhetore për vitin 2025, sipas raportit të Institutit GAP, me një mesatare prej 98.1 pikësh. Pesë komuna—Ferizaj, Kaçaniku, Mitrovica e Jugut, Prizreni dhe Vushtrria—kanë arritur rezultatin maksimal prej 100 pikësh. Performancë të lartë kanë shënuar edhe Hani i Elezit (97 pikë), Drenasi (95 pikë) dhe Skenderaj (92.5 pikë). PDK-ja e ka vlerësuar këtë rezultat si tregues të qeverisjes së përgjegjshme lokale.