Sipas analizës së Institutit GAP me titull "Numri i mësimdhënësve në komuna: tepricë apo nevojë?", ndryshimet në formulën e buxhetimit për vitin 2026 kanë sjellë mospërputhje të theksuara mes kërkesave të komunave dhe financimit të miratuar nga qeveria. Ministria e Financave, duke u bazuar në normat e Ministrisë së Arsimit, ka kushtëzuar pagat me raportin nxënës–mësimdhënës.
Nga 25 komunat e analizuara, janë paraqitur 27,282 mësimdhënës, ndërsa janë miratuar për financim 24,200. Kjo do të thotë se 3,082 mësimdhënës (rreth 11.3%) kanë mbetur jashtë grantit të arsimit. Në nivel vendi, janë gjithsej 3,101 mësimdhënës të larguar nga granti. Për vitin 2027, parashikohet një reduktim shtesë prej 263 mësimdhënësish, ku disa komuna do të kenë 463 mësimdhënës më pak, ndërsa të tjera planifikojnë një rritje prej 200 mësimdhënësish.
Komunat tani përballen me dy mundësi:
• Harmonizimin e numrit të stafit me normativat e ministrisë.
• Mbulimin e pagave për mësimdhënësit e tepërt përmes buxheteve vetanake ose grantit të përgjithshëm.
Presioni më i madh financiar bie mbi disa komuna që përballen me kosto të larta shtesë, siç janë:
• Gjilani (mbi 2.5 milionë euro).
• Gjakova (mbi 2.3 milionë euro).
• Peja, Malisheva, Podujeva, Rahoveci, Suhareka, Skenderaj dhe Mitrovica.
Raporti paralajmëron se mbulimi i këtyre shpenzimeve nga buxhetet lokale mund të kufizojë ndjeshëm investimet kapitale dhe zhvillimin e arsimit në nivel komunal.