Sistemi arsimor në Kosovë po përballet me një rënie të vazhdueshme të numrit të nxënësve, fenomen që po reflektohet në zbrazjen e bankave shkollore dhe mbylljen e paraleleve në zona të ndryshme të vendit. Sipas shifrave zyrtare, përveç humbjes së mbi 30 mijë nxënësve në pesë vitet e fundit (2020/2021-2024/2025), viti akademik 2025/2026 ka vijuar me të njëjtin trend, duke regjistruar rreth 5.000 nxënës më pak se një vit më parë.
Një shembull konkret është fshati Debëllde i komunës së Vitisë, ku shkolla që funksiononte si paralele e Shkollës Fillore "Ndre Mjeda" në Kabash, është mbyllur katër vjet më parë. Zëdhënësi i komunës së Vitisë, Nikollë Ukaj, konfirmoi se vendimi erdhi pas largimit të banorëve. Shkolla e kishte ndërprerë aktivitetin në vitin 2022, kur numri i nxënësve kishte rënë në vetëm katër.
Shqetësimet për një situatë të ngjashme janë shtuar në fshatin Letnicë, ku në paralelen e ndarë të Shkollës Fillore "Dom Mikel Tarabulluzi" sivjet mësimin e kanë ndjekur vetëm shtatë nxënës. Prindërit, siç është rasti i Lindon Limanit, shprehin shqetësimin se mbyllja e shkollës do t'i detyronte fëmijët të udhëtonin drejt Stubllës ose Vitisë. Familjarët theksojnë se përtej distancës, problem mbeten vështirësitë e transportit, veçanërisht gjatë stinës së dimrit.
Ndërkohë, autoritetet komunale në Viti sqarojnë se aktualisht nuk ka ndonjë vendim tjetër për mbyllje të shkollave, megjithatë pranojnë se rënia e numrit të nxënësve mbetet një sfidë serioze për planifikimin e arsimit në nivel lokal.