Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka nisur një plan operacional për mbikëqyrjen e subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e kriptovalutave dhe këmbimoreve. Gjatë ditës së parë të aksionit, inspektimet u shtrinë në shtatë komuna: Prishtinë, Gjilan, Gjakovë, Prizren, Podujevë, Rahovec dhe Suharekë.
Sipas njoftimit zyrtar, nga 16 bizneset e kontrolluara, 6 prej tyre iu ndalua ushtrimi i mëtejshëm i veprimtarisë për shkak të mungesës së dokumentacionit të domosdoshëm, kryesisht pëlqimit për kushtet minimale teknike. Për të njëjtat arsye ligjore, 6 biznese të tjera u ndëshkuan me gjoba administrative.
IQMT planifikon të vazhdojë kontrollet deri në përfundimin e planit operacional, i cili synon verifikimin e mbi 268 bizneseve të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK) me kodin për ndërmjetësime të tjera monetare. Autoritetet u kanë bërë thirrje operatorëve ekonomikë të këtij sektori që të përmbushin detyrimet ligjore, duke aplikuar për pëlqimin e kushteve teknike pranë Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe duke u pajisur me licencën përkatëse nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK).
Përditësime
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka vazhduar operacionin për ditën e dytë, duke realizuar 14 inspektime shtesë. Në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), autoritetet kanë intensifikuar monitorimin e këmbimoreve dhe operatorëve të kriptovalutave, duke ndërmarrë masat si vijon: mbylljen e 2 bizneseve për mungesë dokumentacioni dhe gjobitjen e 2 të tjerëve për shkelje të orarit të punës.