Irlanda po shqyrton mundësinë e shtimit të ushtarëve në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe në operacionin e Bashkimit Evropian në Bosnjë-Hercegovinë, EUFOR Althea. Shqyrtimi vjen pas vendimit për përfundimin gradual të misionit të Kombeve të Bashkuara, UNIFIL, në Libanin jugor. Diskutimet janë ende në fazat fillestare dhe nuk është përcaktuar numri i trupave që mund të angazhohen.
Sipas mediave irlandeze, rreth 13 ushtarë irlandezë shërbejnë aktualisht në KFOR. Në UNIFIL janë të angazhuar më shumë se 300 ushtarë irlandezë. Tërheqja pritet të nisë në fillim të vitit të ardhshëm, duke i dhënë fund pranisë gati pesëdekadëshe të Irlandës në rajon.
Përfaqësues të Forcave të Mbrojtjes së Irlandës i kanë kërkuar qeverisë të identifikojë misione të reja ndërkombëtare ku mund të angazhohet personeli. Synimi është krijimi i mundësive të reja për ushtarët dhe ruajtja e kapaciteteve të ushtrisë. Shefi i Shtabit të Forcave të Mbrojtjes së Irlandës, gjenerallejtënant Rossa Mulcahy, ka thënë se përfundimi i misionit në Liban do të jetë sfidë për ushtrinë irlandeze, por nuk do të shënojë fundin e angazhimit të saj në misionet ndërkombëtare.
Mekanizmi “Triple Lock”
Shtimi i mundshëm i trupave në KFOR dhe EUFOR Althea mund të bëhet edhe nëse mbetet në fuqi mekanizmi “Triple Lock”, pasi të dyja misionet kanë mandat të Kombeve të Bashkuara. Mekanizmi kërkon mandat të OKB-së për pjesëmarrjen e më shumë se 12 ushtarëve irlandezë në misione paqeruajtëse jashtë vendit.
Qeveria irlandeze synon ta shfuqizojë këtë kërkesë, duke argumentuar se ajo u jep Rusisë dhe Kinës, si anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, mundësinë për të bllokuar angazhimin e trupave irlandezë. Partitë opozitare e konsiderojnë mekanizmin të rëndësishëm për ruajtjen e neutralitetit të Irlandës. Deri tani nuk është marrë vendim përfundimtar për shtimin e trupave.